BAZILIKA E ARAPAJT

Bazilika e Shën Mëhillit gjendet në fshatin Arapaj të Durrësit dhe është më e madhja e zbuluar deri më sot në vendin tonë. E ndërtuar në fillimin e shekullit VI, në qendër të saj gjendet një mozaik unik për nga përmasat dhe motivet që paraqet. Megjithatë monumenti është izoluar në qendër të një lagjeje urbane dhe ka nevojë për më shumë vëmendje. Në një prej rrugëve më të frekuentuara që lidh jugun e Shqipërisë me rajonin qendror dhe më tej me veriun, në fshatin Arapaj gjendet një prej thesareve arkeologjike me karakter kulti. Ajo doli në dritë gjatë fushatave arkeologjike të viteve’ 80 dhe ka përmasat 65 metra me 28 metra, që e bën atë bazilikën më të madhe të zbuluar deri më sot në vendin tonë. Bazilika e Shën Mëhillit përcaktohet si një ndërtim kulti i fillimit të shekullit VI, që përkon me kohën e Perandorit Bizantin Justiniani I (527-565). “Bazilika e Shën Mëhillit” u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë me vendimin numër 8, të vitit 1987. Por pavarësisht statusit të mbrojtjes, zona rreth bazilikës nuk i shpëtoi ndërtimeve të dendura.