Vende per tu vizituar
Durrësi, një qytet i pasur në histori dhe kulturë,
ofron një përvojë të pasur për turistët që janë të interesuar për të eksploruar trashëgiminë kulturore të tij të pasur me sitet dhe dëshmitë e shumta arkeologjike. Nëse jeni duke planifikuar një udhëtim në këtë qytet bregdetar, ka shumë atraksione që vlejnë të vizitohen:
- Muzeu Arkeologjik i Durrësit është një Institucion Kulturor i rëndësishëm në Shqipëri. Ai ndodhet në qytetin bregdetar të Durrësit, dhe është i njohur për trashëgiminë e pasur historike dhe arkeologjike. Muzeu është vendosur pranë amfiteatrit të Durrësit dhe është një destinacion i rëndësishëm për turistët dhe hulumtuesit e historisë. Muzeu Arkeologjik i Durrësit është themeluar në vitin 1951 si një Institucion Kulturor për të prezantuar trashëgiminë e pasur arkeologjike të qytetit të Durrësit dhe rajonit të tij.
- Amfiteatri i Durrësit mbetet një prej më të mëdhenjve të botës së lashtë dhe një ndër dhjetë amfiteatret më të bukur romakë. I zbuluar relativisht vonë, në vitin 1966, zbulimi i Amfiteatrit u krye prej Vangjel Toçit në mënyrë paksa komike. Legjenda thotë se ai, arekeolog dhe banor i Durrësit, një ditë vërejti se një pemë fiku kishte zbritur disa metra brenda tokës. Kurioz, ai nguli këmbë që toka të gërmohej. Dhe kishte të drejtë, pasi nëntokë ndodhej Amfiteatri i Durrësit i cili kërkohej prej vitesh por nuk gjendej.
- Kalaja e Durrësitndodhet në zemër të qytetit antik. Kalaja është qyteti i vjetër i fortifikuar i Durrësit dhe u ndërtua nga perandori i Perandorisë Bizantine, Anastasi. Ai ishte me origjinë nga Durrësi dhe e bëri atë, një nga qytetet më të fortifikuara të Adriatikut. Kalaja është shpallur monument i trashëgimisë kulturore, i llojit “Arkeologji”, në vitin 1971.
- Torra e njohur edhe si Kulla Veneciane, është si një testament për trashëgiminë e pasur kulturore dhe historike të qytetit të Durrësit. Ajo është një pikë referimi e shquar arkitekturore që pasqyron ndikimin e Republikës së Venedikut, e cila sundoi mbi Durrësin gjatë periudhës mesjetare. Gjatë shekujve, Torra Veneciane ka pësuar adaptime dhe restaurime të ndryshme, duke përfshirë modifikimet e bëra gjatë epokës osmane kur u përdor si kazermë ushtarake. Këto përshtatje kanë shtuar shtresat e historisë dhe ndikimet kulturore të pasqyruara në arkitekturën e saj.
- Kulla Anzhuine e Durrësit është një monument historik që u ndërtua në kohën e sundimit të familjes anzhuine në Shqipëri nga viti 1272 deri në vitin 1368. Kulla njihet ndryshe edhe si Kulla e Barutit sepse përdorej si depo baruti në periudhën osmane.
- Kepi i Rodonit apo siç njihet ndryshe si Muzhili i Skënderbeut është një nga stacionet më të bukura turistike e historike të Shqipërisë. Një nga destinacionet që vitet e fundit ka patur një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve është Kepi i Rodonit, që ndodhet vetëm pak kilometra larg Tiranës. Ky rrip i lartë toke në formë gadishulli shtrihet në detin Adriatik dhe ofron peizazhe tërheqëse si dhe disa monumente historike e kulturore të rëndësisë së veçantë. Nëse gjatë pranverës Kepi nis e vishet i gjithi nga një tapet përrallor lulesh, gjatë verës janë jo të paktë janë ata që e zgjedhin këtë vend për shkak të plazhit të virgjër e rërës së pastër e të imët.
- Vila e Zogut në Durrës është ndërtuar në vitin 1927. dërtuar në formën e një shqiponje, ajo u ngrit në pikën më të lartë të qytetit të Durrësit. Ajo është shumë e famshme për mermerin e saj blu dhe sallonin madhështor. Në vitin 1928, kjo vilë mori emrin “Vila mbretërore” për arsye se Zogu shpalli monarkinë dhe u vetshpall mbret. Vila gjatë sistemit komunist është ruajtur, por u dëmtua gjatë trazirave të vitit 1997, ndërsa pas vitit të mbrapshtë iu nënshtrua një restaurimi.
- Kisha e Shën Antonit, e njohur ndryshe si Kisha e Shën Ndout, është një nga ndër trashëgimitë kulturore dhe historike më të rëndësishme në Durres. Kjo kishë e lashtë ka një histori të pasur dhe është e njohur për arkitekturën e saj të veçantë, duke shërbyer si dëshmi e thellësisë së krishtërimit në këtë rajon.
- Bazilika e Shën Mëhillit gjendet në fshatin Arapaj të Durrësit dhe është më e madhja e zbuluar deri më sot në vendin tonë. E ndërtuar në fillimin e shekullit VI, në qendër të saj gjendet një mozaik unik për nga përmasat dhe motivet që paraqet. Megjithatë monumenti është izoluar në qendër të një lagjeje urbane dhe ka nevojë për më shumë vëmendje. “Bazilika e Shën Mëhillit” u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë me vendimin numër 8, të vitit 1987.
- Banka Qëndrore Durrës: Dega e parë e Bankës Kombëtare Tregtare u krijua në Durrës më 29 nëntor 1925, në ndërtesën historike ku ndodhet sot Dega e BKT Durrës. Kjo ndërtesë përfaqëson realisht institucionin financiar më të vjetër shqiptar në vend. Me datë 1 nëntor 1926 dhe 15 nëntor 1926 janë datat në të cilat janë themeluar përkatësisht Degët Shkodër dhe Vlorë të BKT-së. Banka Kombëtare Tregtare (BKT), me emrin e sotëm, u krijua në janar të vitit 1993, pas bashkimit të Banka Tregtare Shqiptare (BTSH) dhe Banka Kombëtare e Shqipërisë (BKSH).
- Xhamia e Vogël Durrës (Xhamia Fatih): Xhamia Fatih është xhamia e tretë më e vjetër në Shqipëri pas asaj të Beratit dhe të Korçës. Ajo është ndërtuar në vitet 1502-1503 dhe mban emrin e Sulltan Mehmet Fatihut II kur sundoi gjatë viteve (1444-1446 dhe 1451-1481), kohë kur perandoria Osmane u zgjerua në Europë.
- Xhamia e Madhe Durrës: Xhamia më e madhe në qytet, Xhamia e Madhe e Durrësit dikur u shndërrua në një qendër rinore dhe restorant para se të kthehej në funksionin e saj fillestar si institucion fetar. Viti 1938 shënoi përurimin e Xhamisë së Madhe në Durrës. Në atë kohë, përveç xhamive në Turqi, kjo ishte xhamia më e madhe në Ballkan. Përveç fondeve të dhuruara nga tregtarët e qytetit, ndërtimi u bë i mundur edhe nga bashkëpunimi italo-shqiptar.