Vila Mbretërore e Durrësit

Vila e Zogut në Durrës është ndërtuar në vitin 1927. Kjo vilë ishte një dhuratë personale për Mbretin Zog I, nga komuniteti i biznesit të Durrësit në shenjë respekti dhe nderimi. Kristo Sotiri, arkitekti i diplomuar në Universitetin e Padovës në Itali, projektoi fazën e parë të vilës, ndërsa zbatimi i projektit u ndoq më pas nga arkitekti italian që mban firmën edhe të një seri ndërtesash të tjera në Tiranë, Florestano di Fausto. Teknologjia e ndërtimit dhe stili arkitektonit ishte i tëri i ndikuar nga stili Italian, megjithëse godina ka ruajtur elementët identifikues shqiptarë sikurse forma e shqiponjës që ndërtesa duket se e ka kur shihet nga lart. Kolonat dhe trarët, përfshi dhe dyshemetë prej betoni të përforcuar përfaqësonin dhe zërin më të madh të shpenzimeve, ndërkohë që fasada e thjeshtëzuar dhe e standartizuar solli një reduktim të kostos. Por, edhe pse në atë vilë ka kaluar historia pothuaj 100-vjeçare e Shqipërisë, sot brenda atij ambienti pak gjëra kanë mbetur nga e shkuara. Ndërtuar në formën e një shqiponje, ajo u ngrit në pikën më të lartë të qytetit të Durrësit. Ajo është shumë e famshme për mermerin e saj blu dhe sallonin madhështor. Në vitin 1928, kjo vilë mori emrin “Vila mbretërore” për arsye se Zogu shpalli monarkinë dhe u vetshpall mbret. Vila gjatë sistemit komunist është ruajtur, por u dëmtua gjatë trazirave të vitit 1997, ndërsa pas vitit të mbrapshtë iu nënshtrua një restaurimi. Në 1940 Giusepe Martino, një milioner italian e konsideronte vilën, si pallatin veror me të bukur në Ballkan. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore u përdor nga krerët e lartë të ushtrive pushtuese si rezidencë. Mjaft udhëheqës të huaj, duke filluar nga Hrushovi e deri tek princi kamboxhian Sihanuk, do të qëndronin në mjediset e saj, duke u larguar me përshtypjet më të mira.